Ofertat për pallatin e kulturës, më 31 korrik merret vendimi
Procesi i dhënies në shfrytëzim të hapësirës së Pallatit të Kulturës, është shtyrë edhe për disa ditë.
Ndonëse është dashur që të merret një vendim për dhënie në shfrytëzim të kësaj hapësire ditë më parë, sipas drejtorit për Kulturë, Meriton Ferizi, vendimi definitiv do të merret në ditën e fundit të muajit korrik, kjo për shkakun e plotësimit të dokumentacionit shtesë nga ana e ofertuesve të interesuar.
Sipas Ferizit për këtë hapësirë ka pasur disa oferta për të cilat definitivisht do të vendoset më 31 korrik. Kjo hapësirë ka mbetur bosh prej dy vitesh pasi Komuna e Gjakovës nuk ka mundur të gjejë një ofertues ndonëse disa herë ka shpallur ankand publik.
Shfrytëzuesi i hapësirës së Pallatit të Kulturës ka për detyrë aktivizimin e kinemasë së qytetit, që është edhe synimi kryesor i Drejtorisë së Kulturës.
Sipas drejtorit Ferizi në fund të korrikut do të shqyrtohen edhe ofertat e mundshme për hapësirën e objektit të Taphanes, për të cilin po ashtu këto dite është rihapur ankandi publik./radiogjakova/