.
Published On: Tue, Sep 19th, 2017

Transporti urban, pritet të blihen dy autobusë të rinj

Share This
Tags

Stacioni i Autobusëve, përkundër vështirësive dhe sfidave me të cilat ballafaqohet, vijon me shërbimin ndaj qytetarëve të komunës së Gjakovës.

Kjo ndërmarrje publike kërkon që të rregullojë transportin urban, prandaj ka bërë kërkesë për blerjen e dy autobusëve që do t’i shërbenin qytetarëve të komunës së Gjakovës. Drejtori i Stacionit, Ilir Lyta, tha se prej së hënës është hapur ankandi per autobusët edhe priten ofertat.

Megjithëse problemet e tyre financiare nuk mundësojnë organizimn e një transporti urban sipas kërkesave të qytetit, Lyta thotë se e rëndësishme është të startojnë me shpresën që më pas do të kenë edhe mbështetje institucionale.

“Kërkohet dhe ka nevojë që transporti urban të funksionojë si duhet. Ne kemi pranuar ta marrim përsipër, prandaj për këtë qëllim kemi bërë kërkesë për blerjen e dy autobusëve. Sigurisht që kjo nuk mjafton, por e rëndësishme është që ne t’ia nisim dhe pastaj të shpresojmë për më shumë mbështetje institucionale”, u shpreh ai.

Investimet në Stacionin e Autobusëve mungojnë prej 34 vitesh dhe drejtori Lyta tregon për nevojën e tyre.

Ai tha se kanë një projekt që është i kushtueshëm e që përfshin renovimin e objektit dhe po tentojnë që të sigurojnë mjetet përmes organizatave apo institucioneve të ndryshme vendore apo ndërkombëtare.

“Hera e fundit kur është investuar është viti 1983. Stacioni ka nevojë për një renovim të përgjithshëm. Ne kemi një projekt që është i kushtueshëm, por synojmë që ta realizojmë edhe atë. Momentalisht po kërkojmë për mbështetje sepse vet nuk kemi mundësi financiare. Kemi probleme gjatë dimrit për shkak të të ftohtit të madh, kemi probleme gjatë verës për shkak të temperaturave të larta”, deklaroi Lyta.

Drejtori i kësaj ndërmarrje tha se një tjetër kërkesë me rëndësi është edhe ngritja e nivelit të pagave për punonjësit, pasi sipas tij, ato janë shumë të ulëta./radiogjakova/