.
Published On: Mon, Sep 25th, 2017

Universiteti i Gjakovës, shtyhet fillimi i vitit të ri akademik

Share This
Tags

Viti i ri akademik në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” nuk do të fillojë më 1 tetor. Procesi mësimor dhe ligjëratat në të tri fakultetet e këtij universiteti do të shtyhen për të paktën deri në mesin e muajit të ardhshëm në mungesë të stafit akademik.

Senati i këtij universiteti tashmë ka hapur konkursin i cili mbyllet këtë të premte. Njëjtë sikurse Universiteti i Gjakovës, viti i ri akademik do të fillojë me vonesë në të gjitha universitetet e tjera publike, kjo pasi Ministria e Financave nuk iu përgjigj me kohë kërkesave të universiteteve publike për rekrutim të stafit akademik.

Rektori i Universitetit të Gjakovës, Shaban Buza, tha se në shkurt të këtij viti, kjo ministri urdhëroi që të mos hapet asnjë konkurs pa miratimin e saj.

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” aktualisht ka 41 profesorë të rregullt, ndërsa nevojat e tri fakulteteve kërkojnë angazhimin edhe 50 të tjerëve si profesorë të jashtëm.

Pas mbylljes së konkursit, shqyrtohen dosjet e kandidatëve e më pas është periudha e ankesave eventuale. Të gjitha këto procedura nuk lejojnë nisjen e vitit të ri akademik më shpejt se data 15 tetor.

Gjithsesi, Buza u shpreh se të gjithë studentët e Universitetit të Gjakovës do të njoftohen në kohë për datën e saktë të fillimit të vitit të ri akademik./radiogjakova/