Mbahet kuvendi i Kryqit të Kuq, raporti: Rritet numri i nevojtarëve në Gjakovë
Dega e Kryqit të Kuq të Kosovës në Gjakovë mbajti kuvendin zgjedhor. Me këtë rast u shqyrtuan raportet e punës dhe ato financiar për periudhën nga viti 2013 deri më 2016 si dhe plani i punës e ai financiar për tre vitet e ardhshme.
Kryqi i Kuq në Gjakovë operon me programin e ndihmës së parë, që është i vetmi burim i financimit, atë të mirëqenies sociale, të komunikimit, të gatishmërisë dhe reagimit në fatkeqësi, programin për rini, edukim shëndetësor dhe atë të kërkimeve.
Sekretarja e Kryqit të Kuq në Gjakovë, Fllanza Bakija-Lama duke u ndalur në programin e mirëqenies sociale që lidhet me shpërndarjen e të mirave materiale për familjet në nevojë , tha se numri i nevojtarëve është shtuar si dhe kushtet ekonomike janë më të vështira se në periudhat paraprake.
Bakija-Lama shtoi se numri i madh i nevojtarëve ka krijuar vështirësi për organizatën sepse nuk arrin të ndihmojë të gjithë. Ajo uroi që vitet në vazhdim të ketë rritje të numrit të donatorëve dhe solidaritet më të madh nga qytetarët.
Ndërsa, kryetari i rikonfirmuar në këtë kuvend zgjedhor të Kryqit të Kuq të Kosovës, dega në Gjakovë, Nexhat Dula duke folur për planin e punës 2017-2020 tha se synohet krijimi dhe zhvillimi i frymës së humanzimit dhe solidaritetit.
Në këtë kuvend u zgjodh edhe kryesia me 9 anëtarë. Në fund, u nderuan me mirënjohje edhe vullnetarët e kësaj organizate në Gjakovë./radiogjakova/