Përurohet e-kisoku dhe shtyllat multifunksionale
Paraditen e së hënës, nënkryetari në largim i komunës së Gjakovës, Armend Vokshi, përuroi dy investime të reja që ndihmojnë në lehtësimin e shërbimeve për qytetarë dhe sigurinë në komunitet.
Fillimisht, Vokshi i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të qeverisë aktuale, përuruan e-kioskun e ri të Komunës përmes së cilës qytetarët do të mund të shërbehen me dokumentet nga sektori i gjendjes civile, të kontrollojnë gjendjen e tatimit në pronë dhe të kenë qasje në portalin e Gjakovës e në drejtimin e kërkesave për komunën.
Më pas, Vokshi përuroi edhe 6 shtyllat multifunksionale që janë pjesë e fazës së dytë të projektit “Smart City Gjakova” e për të cilat tha se do të ndihmojnë shumë në aspektin e sigurisë,
Këto shtylla kanë edhe sensorë për matjen e temperaturës, lagështisë, zhurmave e ndotjes së ajrit. Në total, ky projekt ka kushtuar 80 mijë euro, ndërsa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kontribuar me 30 mijë euro.
Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjoka, tha se kamerat që janë pjesë e shtyllave multifunksionale po ju vijnë në ndihmë sa i përket parandalimit, por edhe hetimit të rasteve të ndryshme./radiogjakova/