.
Published On: Sat, Dec 9th, 2017

Diskriminimi pa të drejtë i personave me sindromën down

Share This
Tags

Personat me sindromën down hyjnë në kategorinë e njerëzve të diskriminuar në Kosovë. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e përditshme, në tekstet shkollore ata në disa raste përshkruhen si “idiotë mongoloidë” ose njerëz jetëshkurtër, çfarë nuk është aspak e vërtetë.

Aktivistja për të drejtat e personave me sindromën down, Fjolla Rraci, disa herë ka ngritur zërin kundër këtyre paragjykimeve. Ajo kërkon që të ndryshohen tekstet shkollore, por deri atëherë, apelon arsimtarët që të shmangin pjesët ku përdoren termat ofendues për këta persona.

“Tekste të njëjta kanë qenë kur kam qenë edhe unë në shkollë, por nuk e mendoja që as sot nuk do të ndryshonte asgjë. Arsimtarët ndonjëherë zgjedhin rrugën më të lehtë dhe i mësojnë fëmijët sipas tekstit gjë që është gabim”, tha Rraci.

Shqetësimi më i madh i saj është se të njëjtat tekste mund t’i lexojnë edhe vet fëmijët me sindromën down kur ata të kenë moshën të shkojnë në shkollë.

“Nuk e di nëse e ka menduar ai person që e ka shkruar se atë libër mund ta lexojnë vet personat me këtë sindromë. Nëse dikujt i thua ‘idiot’ e ke ofenduar është apo jo me sindromën down. Kushdo që ka të tilla paragjykime i ftoj të shkojnë në qendrën e personave me sindromën down, aty do të kuptojnë se janë të aftë si të tjerët dhe jetojnë më gjatë se çfarë shkruhet”, vijoi Rraci.

Në Gjakovë ka disa organizata rinore që kanë si qëllim të aktivizojnë sa më shumë personat me sindromën down dhe të nxjerrin në pah talentin e tyre. Njëra prej tyre është organizata “Inno”.

Përfaqësuesja e kësaj organizate, Eli Bytyqi, tha se kanë implementuar dy projekte me këtë kategori të personave.

“Njëri prej tyre ka qenë gjithëpërfshirja e tyre në aktivitete së bashku me fëmijët e tjerë ku janë organizuar aktivitete të ndryshme për t’u bërë të ndjehen të barabartë. Po ashtu, në një tjetër projekt, fëmijët me sindromën down kanë krijuar qirinj prej dyllit të bletës në forma të ndryshme, por talentin e tyre e kanë shprehur edhe në vizatime e aktivitete të tjera”, u shpreh ajo.

Bytyqi u shpreh se janë të lumtur me arritjet e të dy projekteve, por shton se duhet një punë më e madhe dhe e përbashkët për të shembur stereotipet që janë ngritur shumë kohë më parë për kategori personash./radiogjakova/