KRU “Gjakova” mbyll 2017-ën: Vit i sukseseve
Kompania Rajonale Ujësjellësit “Gjakova” përveç se këtë vit ndryshoi emrin, ka arritur edhe suksese të reja.
Në takimin e fundvitit mes punonjësve, ku mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, menagjmenti i kësaj kompanie e vlerësoi vitin 2017 si vit të suksesshëm.
Drejtori Ismet Ahmeti tha se ka pasur investime të natyrave të ndryshme, ku investimet vetanake kapin vlerën 1milionë e 700 mijë euro, pastaj investimet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që kapin vlerën e 1 milionë e 450 mijë eurove si dhe 300 mijë euro nga Komuna e Rahovecit dhe Prizrenit.
“Kemi dhënë maksimumin dhe kemi punuar shumë, prandaj dua të falënderoj stafin dhe bordin e drejtorëve për angazhimin. Uroj që në vitin e ardhshëm të dyfishojmë këto investime me punë edhe më të madhe”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti uroi që të ketë bashkëpunim më të ngushtë me Komunën e Gjakovës dhe viti që po vjen të sjellë suksese të reja.
Në anën tjetër, anëtari i bordit të KRU “Gjakova”, Isuf Asllani, tha se sukseset e kësaj kompanie janë të prekshme dhe ndjehen nga qytetarët. Ai shtoi se Bordi mbështet çdo vendim për investime që ndërmerr menaxheri kryesor i kompanisë.
Ndërsa, kryetari Ardian Gjini pasi uroi për festat, tha se “në vitin 2018 na presin shumë punë dhe bashkëpunim më i ngushtë me KRU ‘Gjakova’, në dobi të të gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës”./radiogjakova/