Rikthimi në punë i Gjergjajt, debate mes Komonit e Gjinit
Këshilltarët komunalë pas emërimit të komiteteve kanë diskutuar edhe për çështje të tjera.
Që në takimin e parë të Kuvendit të Komunës, subjekti politik Alternativa e ka akuzuar kryetarin e komunës, Ardian Gjini, lidhur me kthimin në punë të zyrtarit të partisë së tij, Musë Gjergjaj i suspenduar kohë më parë, pasi akuzohej se kishte grushtuar drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ku edhe punonte.
Këshilltari i Alternatives, Basri Komoni, tha se pak ditë u deshën që të kuptojmë mbylljen e Komunës së Gjakovës para opinionit publik, përmes vendimeve të njëanshme dhe jo ligjore që kryetari Gjini me të marrë detyrën, lëshoi pa menduar fare.
“Në dukje vendimet e kryetarit mund të jenë tentim për rikthimin e pashallykut të Aleancës në institucionet lokale, që për katër vitet e fundit u depolitizuan dhe morën rrjedhën normale të funksionimit. Por në substancë, kryetari Gjini tregoi që përmes vendimeve të tij njerëzit e dhunës i dëshiron në institucione”, ka thënë Komoni.
Ndërkohë, kryetari Gjini këtë akuzë e ka quajtur të pabazë dhe se e arsyetoi duke thënë se në këtë rast e ka respektuar ligjin. Sipas tij, i akuzuari Musë Gjergjaj nuk ka pasur aktakuzë të ngritur në Prokurori dhe se i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Përgjigja ka qenë se Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj këtij personi.
Po ashtu, sipas Gjinit ka edhe një vendim të Komisionit Mbikëqyrës i cili e detyron që të kthejë në punë zyrtarin e QKMF-së, Musë Gjergjaj.
Kryetari Gjini tha se nuk do të tolerojë këto raste dhe se çdo zyrtar komunal do të suspendohet nëse ngritët aktakuzë ndaj tyre, cilësdo parti qofshin./radiogjakova/