Nuk shfrytëzohet morgu në varrezat e qytetit
Në kuadër të investimeve që janë bërë vite më parë në varrezat e qytetit në Gjakovë, si rregullimi i infrastrukturës rrugore, shtigjeve si dhe rregullimi i varrezave, vendosja e ulëseve dhe krojeve, ka qenë edhe ndërtimi i morgut.
Ky projekt ishte realizuar në kuadër të programit të BE-së “Kosova e bukur” dhe kishte kushtuar rreth 270 mijë euro. Derisa pjesa më e madhe e investimit po shfrytëzohet, nuk mund të thuhet e njëjta edhe për objektin e morgut.
Zyrtar të kompanisë “Çabrati”, e cila është përgjegjëse për varrezat e qytetit, thonë se morgu është i kompletuar por nuk ka pranuar kërkesa për shfrytëzimin e tij.
Sipas Kujtim Qelës, ushtrues i drejtorit në këtë ndërmarrje publike komunale, ky morg disponon me të gjitha pajisjet e nevojshme që i duhen një objekti të tillë për qëndrimin e një trupi të pajetë.
“Në fillim ka pasur kërkesa nga familjarët që kishin raste të vdekjeve e që banonin në shumëkatëshe kolektive, por në vitet e fundit nuk ka pasur interesim dhe kërkesa për shfrytëzimin e morgut tek varrezat e qytetit”, ka thënë Qela./radiogjakova/