Vijojnë punimet në konvikt, hapja shtyhet për dy muaj
Nxënësit dhe studentët që kanë planifikuar të banojnë në konviktin e Gjakovës duhet të presin edhe për një kohë. Rifunksionimi i konviktit të nxënësve “Sadik Staveleci” në Gjakovë nuk do të mund të bëhet së paku edhe dy muaj.
Ndonëse ishte paraparë që ai të bëhet gati për gjysmëvjetorin e dytë, kjo nuk është e mundur, pasi punët në këtë objekt janë duke vazhduar dhe merret vesh që nuk do të përfundojnë së paku edhe disa javë.
Kjo për shkak të punëve të paplanifikuara më parë, si janë ato në zyrat administrative në katin e dytë të objektit dhe në menzën e studentëve.
Rikonstruksioni i objektit të konviktit të nxënësve ka nisur në muajin gusht me financim të organizatës qeveritare turke TIKA. Në këtë projekt po rregullohen komplet blloku i cili ishte jashtë përdorimit.
Me këtë rast po rinovohen dhomat e gjumit, dhomat e mësimit, kuzhina dhe tualetet. Gjithashtu do të bëhet izolimi i jashtëm, përfshirë edhe hapësirën sportive si dhe ambientin e jashtëm.
Konvikti i studentëve “Sadik Stavileci” është ndërtuar në vitet e 60-ta, përbëhet nga dy blloqe, dy pjesë administrative së bashku me hapësirën shoqërore, dhe pjesët e përbashkëta që përfshijnë kuzhinën dhe sallën e ngrënies. Prej vitesh vetëm njëri bllok me 16 dhoma ka qenë në funksion./radiogjakova/