Kërkohet ndërhyrje në stacionet e autobusëve në zonat rurale
Vendet e dedikuara për ndalesë të autobusëve dhe mjeteve të tjera motorike në zonat rurale të komunës së Gjakovës, nuk plotësojnë kushtet dhe paraqesin rrezikshmëri për qytetarët, kryesisht për nxënësit që çdo ditë presin autobusët për të udhëtuar në qytet.
Për këtë qëllim, me një vendim të kryetarit të komunës, Ardian Gjini është formuar një komision prej përfaqësuesve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Arsimit dhe kabinetit të kryetarit, të cilët do të dalin në teren për të identifikuar këto vendqëndrime.
Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike thonë se pas identifikimit, do të bëhet një plan i ndërhyrjes në këto pika, duke zgjeruar këto parkingje, me qëllim që të krijohen hapësira më të mira për qëndrim gjatë pritjes nga ana e qytetarëve dhe nxënësve udhëtarë./radiogjakova/