Dimri shton numrin e zjarreve, zjarrfikësit apelojnë për kujdes
Ngrohja e ambienteve gjatë stinës së dimrit ka shtuar numrin e rasteve të zjarrit dhe nevojën e ndërhyrjes nga ana e Brigadës së Zjarrfikësve të Gjakovës.
Vetëm gjatë ditës së martë kjo brigadë ka intervenuar në shuarjen e zjarrit në një shtëpi në lagjen “Haxhi Ymer”.
Ndërkohë gjatë gjysmës së parë të janarit ka pasur dhjetëra intervenime në shuarjen e zjarrit për shkak të flakës në oxhaqe në shtëpi private, por në tri të tilla kanë qenë edhe në banesa kolektive.
Fatmirësisht zjarret e shkaktuara, kryesisht nga pakujdesia, kanë kaluar vetëm me dëme materiale.
Nga Brigada e Zjarrfikësve në Gjakovë bëjnë apel për një kujdes të shtuar sidomos në pastrimin e oxhaqeve, meqë përvoja ka treguar se këto zjarre mund të kenë pasoja shumë të rënda./radiogjakova/