Vendimi i KRU “Gjakova”, uji tani paguhet vetëm në sportele
Kompania Rajonale e Ujërave “Gjakova” njoftoi konsumatorët e qytetit se pagesat për ujin e shpenzuar që nga data 1 shkurt nuk do të bëhen përmes inkasantëve me arkëtime “cash”, por vetëm në sportelet e kësaj kompanie.
Pagesat me para në dorë do të hiqen vetëm në qytetin e Gjakovës, kurse në muajt në vijim gradualisht do të hiqen edhe në fshatrat e komunës së Gjakovës, për komunën e Rahovecit si dhe për fshatrat e komunës së Prizrenit.
Kështu prej datës 1 shkurt konsumatorët e qytetit të Gjakovës obligohen që faturat t’i paguajnë vetëm në pikat e autorizuara të KRU “Gjakova”.
- Sportelet në KRU “Gjakova” – Rruga “UÇK”
- Posta nr.4 – Rruga “Skëndërbeu” – (afër Xhamisë së Sefës)
- Posta nr.5 – Rruga ” Nënë Tereza” – ( Afër Teqës së Sheh Danjollit)
- Posta nr.6 – Rruga “Konstantin Kristoforidhi” (afër shtatores të Agron Ramës)
- Shitore – Rruga “Anton Çetta” – ( Përballë Qendrës së Mjekësisë Familjare)
- Shitore – Rruga ” Abedin Tërbeshi” – ( Te Loma e Drithit, Afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare)
Shumë shpejtë do të hapen edhe tri pika të tjera të shitjes në lagjet: Piskotë dhe Brekoc si dhe një afër Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, për të cilat KRU “Gjakova” ka thënë se do t’i njoftojë në kohë të gjithë konsumatorët.