.
Published On: Mon, Feb 5th, 2018

Fryhen lumenjtë, telashe në disa zona të Gjakovës

Share This
Tags

Moti me të reshura që ka përfshirë rajonin tonë që nga mëngjesi i ditës së shtunë ka shkaktuar telashe edhe në komunën e Gjakovës, kryesisht në rajonin e Rekës së Keqe.

Në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim bëjnë me dije se pas reshjeve dhe shkrirjes së borës në male, ka pasur fryrje të lumenjve dhe përroskave. Si pasojë e kësaj, dhjetë familje në fshatin Botushë për një kohë  kanë mbetur të izoluara për shkak të daljes nga rrjedha e saj e përroskës Qelia.

Po ashtu, telashe kanë pasur edhe dy familje që banojnë në afërsi të lumit Krena në rrugën “Pashko Vasa”, pasi uji ka depërtuar në pronat e tyre.

Ndërkaq, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtretërit e tyre, në rajonin e Rekës së Keqe, ka pasur përmbytje të fushave.

Ndërsa si pasojë e erërave, dëme ka pasur edhe në rrjetin elektrik. Në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, bëhet e ditur se një shtyllë elektrike është rrëzuar në fshatin Mejë.

Ndërkohë është njoftuar se dëme ka pasur edhe në sektorin e bujqësisë, përkatësisht atë të ujitjes. Sipas drejtorit për Bujqësi në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, Shpat Nivokazi, si pasojë e rritjes së nivelit,  në fshatin Sheremetej, uji ka marrë me veti  30 metra të gypit që përdorej për ujitje të tokave në këtë pjesë të  Lugut të Çarragojes.

Sipas Besim Meqës, zyrtar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjendja  në këto pjesë ka qenë alarmante, pasi lumenjtë kanë qenë në kuotat kritike dhe sikur reshjet do të vazhdonin edhe për disa orë, gjendje do të ishte shumë më e rëndë./radiogjakova/