Mungojnë insulinat në Gjakovë, fajësohet Ministria e Shëndetësisë
“Insulinat për muajin Shkurt ende nuk kanë ardhur”, ky është njoftimi i afishuar në barnatoren e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë që po ngjall zemërim tek personat që vuajnë nga diabeti.
Në QKMF thonë se në këtë situatë nuk kanë asnjë faj, pasi është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë që t’i furnizojë. Pacientët që vijnë çdo ditë në QKMF me shpresën që të marrin insulinën kërkojnë nga ky institucion që të bëhet më shumë presion ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, mungesa e insulinës ndikon negativisht në shëndetin e tyre. Disa prej tyre i thanë Radio Gjakovës se janë detyruar që të blejnë në barnatore private edhe në Tiranë.
Në anën tjetër, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola tha se tashmë ka kontaktuar me ushtruesen e detyrës së Kryeshefit të Divizionit të Farmacisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Fatbardha Murtezin, e cila e ka informuar që ka nisur procedura urgjente e tenderimit për një sasi të vogël të furnizimit me sa për këtë muaj.
Mirëpo, edhe sasia që do të vijë do të jetë e limituar për shkak të vonesave të mëhershme në tenderim.
Drejtoresha Shehu-Kola ka thënë se drejtoria që drejton nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë rast, pasi furnizimi duhet të kryhet nga Ministria e Shëndetësisë./radiogjakova/