Ministrat premtojnë investime, Gjini: Anulojmë kredinë për investime infrastrukturore
Komuna e Gjakovës të mërkurën nënshkroi memorandume bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës, atë të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe atë të Punëve të Brendshme.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini priti krerët e këtyre dikastereve, Pal Lekaj, Albena Reshitaj, Kujtim Gashi dhe zv.ministrin e Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra.
Pas këtij takimi, Gjini deklaroi se Gjakova është fituesja e ditës, por me këto investime që rrjedhin nga këto memorandume ai shtoi se po kryhet një obligim ndaj komunës për shkak të mungesës së investimeve nga qeveritë qendrore.
Gjini njoftoi se do të anulohet edhe kredia që Komuna e Gjakovës kishte planifikuar të merrte për investime infrastrukturore.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se janë nënshkruar projekte kapitale në vlerë prej 14 milionë euro.
Sipas tij, projekti më madhor është Qarkorja e Gjakovës që pritet të kushtojë 8 milionë euro e që liron nga trafiku qendrën e qytetit. Lekaj tha se janë 16 projekte në total që ministria e tij do të financojë.
Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, premtoi se do të bëjnë më shumë për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve të Gjakovës, duke nisur me Krenën si dhe do të pastrojnë Gjakovën nga mbeturinat.
Reshitaj përmendi edhe projektin e ujësjellësit për zonën e Rekës së Keqe, ndërsa japi sinjale se mund të nisë projekti i impiantit të ujërave të zeza, projekt ky që kap vlerën e 16 milionë eurove.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, njoftoi se do të vijojë financimi i kompleksit të terreneve sportive, konkretisht të fushave të tenisit dhe atij me bar sintetik.
Po ashtu, sipas tij, do të ndërtohet edhe qendra kulturore në Rogovë, ndërsa një vëmendje më e madhe do t’i kushtohet edhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Pas këtij takimi, kryetari Gjini i shoqëruar edhe nga ministrat e zv.ministri i Punëve të Brendshme inspektuan punimet në objektet e Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe atë të Gjykatës Themelore të Gjakovës që po nderohen në rrugën transite./radiogjakova/