Gjakova kantier ndërtimi? Projektet që Komuna synon të nisë në pranverë
Komuna e Gjakovës synon që këtë vit të nis disa projekte infrastrukturore dhe qytetarët më në fund të shohin frytet e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës tashmë ka ndarë mjetet për Qarkoren që përfshihen edhe hyrje-daljet me Prizrenin. Procedurat pritet të nisin brenda ditësh, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas planit, pra nëse nuk do të ketë ankesa apo zvarritje të procesit, ndërtimi i rrugës të nisë në muajin prill.
Po ashtu, në këtë vit kërkohet të nis edhe rruga drejt Klinës, por Komuna e Gjakovës po insiston që punimet të fillojnë nga rrethrrotullimi të Stacioni i Autobusëve në mënyrë që të përfundojë edhe projekti për hyrje-daljet për Prishtinë.
Sa i përket hyrje-daljeve me Pejën, ky projekt duhet të presë, pasi po këtë vit po shpresohet të nisë ndërtimit i kolektorit kryesor për ujërat e zeza dhe kjo do të sjell hapjen e shumë rrugëve, përfshirë edhe atë kryesore.
Komuna nuk dëshiron që të bëhen investime të dyfishta dhe të hapen të njëjta rrugë dy-tre herë.
Për rrugën kryesore “Nënë Tereza”, Komuna po organizohet se bashku me kompanitë publike që kur të hapet rruga të bëhen edhe ndërhyrjet e tjera siç mund të jenë ndërrimi i gypave apo instalimi i rrjetit të ri për nevoja të ndonjë kompanie tjetër, në mënyrë që të mos hapen rrugë çdo vit.
Përveç këtyre projekteve kryesore, Komuna planifikon të ndërtojë edhe rrugë të reja, por edhe të vazhdojë disa projekte të trashëguara të nisura vite më parë.
Sipas tyre, janë 26 projekte infrastrukturore që ligjërisht e kanë kaluar afatin 3-vjeçar të implementimit.
Këto projekte nga viti 2010 nuk janë vazhduar nga administrata e kaluar, ndërsa kjo aktualja po konsultohet me ligjin pasi vazhdimi i tyre tani mund të konsiderohet si shkelje e ligjit, ndërsa mos nisja e punëve rrezikon paditjen dhe miliona euro dëm të cilat operatorët ekonomikë mund t’i marrin Komunës pa kryer ndonjë punë./radiogjakova/