Shkëlzen Rexha hap ekspozitë në Nju Jork
Në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, të martën me rastin e shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, fotografët Shkëlzen Rexha dhe Arben Llapshtica kanë hapur një ekspozitë me fotografi.
Në ekspozitën e titulluar “Breathing new life” janë prezantuar 20 fotografi me motive të ndryshme nga Kosova, përfshirë edhe disa nga qyteti i Gjakovës, ku të pranishmit kanë pasur mundësi të shohin foto me motive nga natyra dhe trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës.
Fotografi gjakovar Rexha tha se ka qenë dëshirë e tij që të prezantojnë Kosovën në mënyrën më të mirë, ndërsa fotografitë janë shkrepur kryesisht në dekadën e fundit pas shpalljes së pavarësisë.
“Dëshira ime dhe e Arbenit ka qenë që të prezantojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, prandaj kemi zgjedhur fotografi të cilat prezantojnë trashëgiminë kulturore, peizazhe dhe natyrën. Ndjehem shumë mirë dhe falënderoj ambasadoren Sahatqija e cila na ka përzgjedhur për këtë ekspozitë”, u shpreh Rexha.
Në hapje, të pranishmit i ka përshëndetur edhe ambasadorja e Kosovës në Nju York, Teuta Sahatqija, që foli edhe për periudhën më të errët, siç tha ajo, që kaloi populli shqiptar gjatë regjimit të Millosheviç./radiogjakova/