.
Published On: Fri, Feb 23rd, 2018

Shpenzimet e varrimit, Alternativa: U shfuqizua me arsyetim qesharak

Share This
Tags

Alternativa e ka quajtur vendimi për heqjen e asistencës për shpenzimet e varrimit si “një tekë tjetër të kryetarit Ardian Gjini dhe qeverisjes së tij i cili ju ndalon gjithë qytetarëve të Komunës së Gjakovës një ndihmesë elementare për të përballuar koston në momentet e tyre më të vështira”.

“Arsye e dhënë nga ekzekutivi ka qenë qesharake për faktin se para disa javëve ky kryetar me ministrat e qeverisë qendrore, premtuan projekte milionëshe për Gjakovën, ndërsa sot i njëjti kryetar ju heq 180 euro qytetarëve të komunës së Gjakovës, me arsyetimin se kanë hyrë në obligime për shpronësimet e projektit të qarkores ose për projekte të tjera që s’kanë të bëjnë fare me kategorinë buxhetore nga paguhet kjo asistencë”, thuhet në reagim.

Alternativa konsideron se tërheqja e këtij vendimi është bërë vetëm pse këtë vendim e ka marrë qeverisja e Mimoza Kusarit, ndërsa thotë se u ofenduan edhe asamblistët që janë pjesë e Komitetit për Politikë e Financa të cilët votuan kundër që kjo pikë të kalonte në Asamble.

“Në këtë mënyrë qeverisja lokale po tregon që Komuna e Gjakovës tashmë është bërë një pashallëk ku vendimet e rëndësishme që prekin jetën e banorëve i merr vetëm një grup i njerëzve të Aleancës, e jo të zgjedhurit e popullit që kanë mandatin për të marrë vendime siç janë këshilltarët komunalë”, mbyllet reagimi i Alternativës./radiogjakova/