Deputetja shqiptare në Parlamentin kroat viziton Gjakovën
Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Anton Shala, pritën në një takim miqësor deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë Ermina Lekaj – Përlaskaj.
Gjatë takimit është biseduar për tema të ndryshme, e të cilat kryesisht kishin të bënin me bashkëpunimin dy palësh, qoftë mes institucioneve lokale të Gjakovës me institucionet kroate, qoftë mes qytetarëve shqiptarë në të dyja shtetet.
Kjo pasi dihet se komuniteti shqiptar në Kroaci është një komunitet mjaft i fuqishëm, që mund të ndihmojë në sfera të ndryshme Gjakovën dhe Kosovën.
Nga të dyja palët u akordua që tash e tutje bashkëpunimi mes vete të jetë shumë më i madh sesa deri me tani, ndërsa si pikë fillestare e rritjes së këtij bashkëpunimi u përmend mundësia e binjakëzimit të komunës së Gjakovës me ndonjërin prej qyteteve të mëdha kroate.