Gjini flet për qeverisjen dhe të ardhmen: Nuk e di a kandidoj për një tjetër mandat
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, mbajti pasditen e së enjtes një ligjëratë mbi qeverisjen lokale para studentëve të Kolegjit AAB në Gjakovë.
Ai tha se po angazhohet të punojë sipas konceptit të ri të menaxhimit publik, koncept që krahas investimit në projekte që shkojnë në të mirë të qytetarëve, Komuna të ketë edhe përfitime materiale prej tyre.
“Shohim me përparësi projektin e lumit Krena, rrugët që nxisin turizmin dhe ato që gjenerojë të hyra për Komunën. Ashtu është edhe parku në qendër të qytetit. Ne aty do të mbjellim të gjitha pemët që rriten në Kosovë dhe pas një kohe nuk do të ketë shkollë që do të sjellë në Gjakovë nxënës për t’i parë në një vend, me shënime përkatëse, të gjitha ato drunj që mësojnë”, tha Gjini.
E gjithë këtë, Gjini tha se po e bën për pasardhësit e tij, e këtu zbuloi edhe një gjë tjetër. “Dua që pasardhësi im të ketë më shumë para’ kur të vijë e të kryejë më shumë punë. Kush do të jetë? Ndoshta do të jem unë, ndoshta jo, nuk e di a do të kandidoj. Por, sigurt nuk do të më keni më shumë se 8 vjet”, tha ai duke qeshur.
Kryetari Gjini u ndal edhe në çështjen e menaxhimit të mbeturinave. Ai deklaroi se po punon në dy aspekte, atë afatshkurtër që nënkupton pastrimin e menjëhershëm dhe atë afatgjatë që ka të bëjë me menaxhimin e mbeturinave, deponive etj.
Ai theksoi nevojën e bashkëpunimit me qytetarë pasi sipas tij, ende ka persona të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina në vende ku nuk lejohet një gjë e tillë.
Kryetari Gjini iu përgjigj edhe pyetjeve të tjera të studentëve që më shumë kishin të bënin me kompetencat e tij dhe ato të Asamblesë dhe komisioneve obligative./radiogjakova/