.
Published On: Tue, Mar 27th, 2018

19-vite nga rrëmbimi i 11 meshkujve në shtëpinë e Halim Qerkezit

Share This
Tags

Të martën u bënë 19 vite nga ngjarja tragjike e ndodhur në “Bllokun e Ri” në Gjakovë kur forcat policore, ushtarake serbo-malazeze në mënyrë të dhunshme hynë në shtëpinë e Halim Avdurrahim Qerkezit.

Aty rrëmbyen 11 meshkuj, ndër ta të zotin e shtëpisë Halim Qerkezin me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, Edmondin, ku për fat të keq nëna Ferdonije mbeti pa asnjë anëtarë të familjes dhe jeton e vetme.

Në këtë familje, me 27 mars të vitit 1999, u rrëmbye edhe nipi Vegim Kasim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, e bashkë me ta edhe fqinjët Skënder Dylhasi me djalin Myrtezanë dhe dy djemtë e Gani Jetishit, Shpendi dhe Fatosi.

Në reagimin për këtë ngjarje makabër të organizatës “Thirrjet e Nënave në Gjakovë, e cila rreth vetes tubon familjarë të të pagjeturve, ndër të tjera thuhet se “u bënë 19 vite nga koha kur ky grup prej 11 meshkujve u rrëmbyen ndërkohë që ende nuk iu dihet fati edhe i tetë meshkujve të tjerë dhe plaga mbetet ende e hapur për këto familje të cilat jetojnë në ankthin e pritjes për më të dashurit e tyre”.

Me këte rast Shoqata ”Thirrjet e Nënave” apeloi tek institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë presion ndaj shtetit të Serbisë që të tregojë vendndodhjen dhe kthimin e menjëhershëm edhe të 1660 qytetarëve të Kosovës, që ende konsiderohen të zhdukur. /radiogjakova/