.
Published On: Wed, Apr 4th, 2018

19-vite nga vrasja e 86 civilëve në Kralan

Share This
Tags

Të mërkurën janë bërë 19-vjet nga vrasja e 86 civilëve në fshatin Kralan të Gjakovës. Ishte 2 prilli i vitit 1999, dita kur në fshatin Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe veçuan disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1.500 shqiptarëve, të cilët kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën.

Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 djem të rinj, ndër të cilët edhe 11 të mitur të cilët janë ekzekutuar dhe trupat e tyre kanë përfunduar në varrezat masive.

Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krimin në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 prej atyre djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive në Serbi, në varrezën e cila është gjetur pranë liqenit të Peruçës, në komunën e Bajina Bashtës.

Fondi në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

Mirëpo, sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.