.
Published On: Fri, Apr 27th, 2018

Kujtohet masakra e Mejës dhe shënohet Dita e të Pagjeturve

Share This
Tags

Të premten në Lëndinën e Pikëllimit në Mejë u kujtua ndër masakrat më të mëdha të luftës së fundit në Kosovë ku në të njëjtin vend u vranë 376 persona të moshave të ndryshme. Po ashtu, sot u shënua edhe Dita e të Pagjeturve.

Me këtë rast, në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini dhe zyrtarë të tjerë të lartë, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, shoqatave të dala nga lufta dhe klerikë fetarë.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në fjalën e tij, tha se arsyeja e vetme se pse u masakruan 19-vite më parë 376 vetë në Mejë ishte se ishin shqiptarë.

Ai uroi që 20-vjetori i kësaj masakre ta gjejë të përfunduar kompleksin memorial në Mejë si dhe të zbardhet fati i mbi 1600 personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se Meja është sinonim i dhimbjes dhe vuajtjeve të popullit tonë për liri. Ai deklaroi se populli ynë e dëshmoi se e ka vendin mes popujve të lirë të botës dhe se shteti që gëzojmë sot është minimumi i asaj se çfarë e meritojmë.

Në këtë tubim përkujtues foli edhe Ahmet Grajqevci nga Këshilli i Familjarëve të Kosovës, i cli kërkoi më shumë angazhim nga institucionet vendore për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, pasi sipas tij, pa drejtësi nuk mund të ketë as pajtim mes Kosovës e Serbisë.

Familjarët e të pagjeturve duke kujtuar me dhembje këtë ditë shprehen edhe pakënaqësinë për kujdesin ndaj varrezave të martirëve në Meje.

Në manifestimin e së premtes u shfaqen edhe pika artistike ku të rinj përmes fjalës së bukur artistike shprehen dhembjen dhe ndjenjën e tyre për të pagjeturit./radiogjakova/