.
Published On: Fri, Jul 11th, 2014

AAK-ja: Qeverisja lokale në Gjakovë po e shkatërron sistemit primar shëndetësor, Tafarshiku: Këto janë shpifje dhe spekulime

Share This
Tags
carshia-gjakova11 
Dega e AAK-së në Gjakovë, ka akuzuar kryetaren e komunës Mimoza Kusari – Lila dhe drejtorin komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Basri Komoni, për, siç kanë thënë ata, shkelje të mëdha ligjore në largimin dhe pranimin e punëtorëve në sistemin primar shëndetësor.
Në një komunikatë për media përfaqësuesit e AAK-së thonë se Kusari – Lila dhe Komoni kanë larguar nga puna në mënyrë të padrejtë tre kryeshefa dhe 30 shefa në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Në komunikatën e AAK-së thuhet se Kusari – Lila dhe Komoni janë duke u angazhuar maksimalisht për shkatërrimin e sistemit primar shëndetësor në komunën e Gjakovës.
Por, të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari–Lila. Ai i ka quajtur si shpifje dhe spekulime shumicën e akuzave të AAK-së, madje ka shtuar se nëse dikush duhet akuzuar është pikërisht qeverisja e kaluar lokale, e cila e ka lënë një sistem të politizuar dhe mjaft të dobët jo vetëm shëndetësor por në të gjitha sferat tjera.
Tafarshiku ka thënë se shkarkimi i tre kryeshefave është bërë pasi këta të fundit kanë bërë shkelje të rënda gjatë konkurseve të deritashme, ndërsa akuza për largimin nga puna të 30 shefave në QKMF është shpifje dhe spekulim i degës së AAK-së.