AAK: Në mungesë të sukseseve, Komuna shpif
Gjakovë- Pas prezantimit të borxhit, që qeverisja aktuale thotë se ka trashëguar nga ajo e Pal Lekajt, ka reaguar dega e AAK-së duke thënë se Kusari-Lila thjesht është duke justifikuar dështimet e saj të njëpasnjëshme.
“Qeverisja aktuale në vend që të dalë në konferencë për 100 ditët e saj të para dhe t’i tregoj punët dhe sukseset, në mungesë të këtyre punëve dhe sukseseve, kjo qeverisje disa herë radhazi del e krijon shpifje e alibi për qytetarët për ta fshehur mos suksesin e vet dhe në mungesë të vizionit të saj për të qeverisur”, thuhet në deklaratë.
“Është për të ardhur keq që kjo qeverisje ‘e ekspertëve’ duke e paraqitur borxhin e komunës nuk arrin të bëj dallimin në mes borxheve, punëve të kontraktuara dhe punëve të kryera nga operatorët”, vazhdon reagimi.
AAK-ja më pas ka sulmuar edhe drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Teki Shala të cilin e kanë quajtur “dështak” dhe “të paaftë” për të kryer detyrat që i ngarkohen, duke kujtuar se në vitin 2007 ai ishte shkarkuar nga pozita që mban aktualisht për shkak të vizionit për të udhëhequr me financat./radiogjakova/