Afati i parë në Universitetin e Gjakovës, pranohen 293 studentë të rinj
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” publikoi rezultatet preliminare të provimit pranues të datës 20 korrik, ndërsa të hënën deri në ora 16:00 të gjithë studentët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre.
Sipas këtyre rezultateve, janë pranuar 293 studentë të rinj nga mbi 840 që iu nënshtruan provimit.
Në Fakultetin e Edukimit, në programin fillor është plotësuar numri i paraparë pasi janë pranuar 100 kandidatë nga 293 konkurrues. Ndërsa në drejtimin Parashkollor janë pranuar 73 nga 100 sa është paraparë.
Në Fakultetin e Edukimit në drejtimin Gjuhë Shqipe Letërsi janë plotësuar 57 nga 140 vende të lira.
Në Fakultetin e Mjekësisë, aty ku ishte edhe konkurrenca më e madhe, në drejtimin e Infermierisë janë pranuar 58 kandidatë nga 226 që iu nënshtruan provimit. Ndërsa në programin Mami janë plotësuar vetëm 5 nga 40 vende të lira për këtë vit akademik.
Regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet në fakultetet përkatëse nga data 31 korrik deri më 2 gusht.
Kandidatët jofitues, tërheqjen e dokumenteve mund ta bëjnë nga e mërkura deri të premten.
Studentët, shtetas të Kosovës, që fillojnë studimet në Universitetin e Gjakovës, vitin e parë të studimeve e kanë falas./radiogjakova/