.
Published On: Thu, May 29th, 2014

Aksioni, mbyllen 21 lokale të lojërave të fatit

Share This
Tags

kazino-aksioniGjakovë- Ashtu siç është paralajmëruar, komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, dhe në mbështetje të policisë së Kosovës, e ka filluar të mërkurën aksionin për mbylljen e të gjitha lokaleve të lojërave të fatit, të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në kundërshtim me ligjin.

Në këtë aksion ka marrë pjesë edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka njoftuar se aksioni ka filluar pas vendimit të saj për revokimin e lejeve të punës që ish – qeverisja lokale e Gjakovës u pati dhënë këtyre bizneseve.  Ajo ka është shprehur e bindur se aksioni do të shkojë deri në fund, deri në mbylljen e tërësishme të të gjitha lokaleve të tilla.

“Qeverisja e kaluar u ka lëshuar leje për veprimtari këtyre lokaleve, por me këtë e ka shkelur Ligjin mbi lojërat e fatit, sepse prej dhjetëra lokaleve vetëm dy prej tyre veprojnë në përputhje me këtë ligj, ndërsa tjerat janë në kundërshtim me ligjin dhe cilësohen si ilegale. Madje, ka edhe të tilla që janë kamufluar duke u regjistruar si kafiteri apo me të tjera veprimtari dhe në realitet funksionojnë si lojëra fati. Ne jemi të vendosur, dhe deri në fund të ditës do t’i mbyllim të gjitha”, ka thënë Kusari – Lila.

Nga ana tjetër, Ramadan Ibishi nga ATK-ja ka thënë se e kanë një listë prej 21 lokalesh që duhet të mbyllen, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që gjatë aksionit të mbyllin edhe lokale tjera, që nuk janë të evidentuara në listë. Megjithatë, sipas tij këto lokale mund të rihapen, nëse i bëjnë ndryshimet që i kërkon ligji.

“Ligji për lojrat e fatit u ndalon këtyre lokaleve që të zhvillojnë aktivitet në një afërsi prej 500 metrash nga objektet institucionale, arsimore dhe fetare. Prandaj, pronarët mund t’i rihapin bizneset e veta nëse e respektojnë këtë distancë të përcaktuar me ligj”, ka thënë Ibishi.

Ndërkohë, e pyetur nga mediat, kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka mohuar kategorikisht që ky aksion ka ndonjë gjë të përbashkët me ditën e parë të fushatës elektorale, madje ka thënë se për caktimin e kësaj dite ka vendosur dikush tjetër e jo ajo. “Një muaj më parë ne kemi bërë kërkesë tek ATK-ja dhe ata kanë vendosur që të vijnë në Gjakovë këtë datë për ta zhvilluar këtë aksion. Prandaj, ju them me garanci të plotë se ky aksion nuk ka asnjë lidhje me fushatën dhe për ne kjo është një ditë e zakonshme pune, sikurse çdo ditë tjetër”, ka përfunduar ajo.