.
Published On: Wed, Mar 26th, 2014

Ambasada Britanike mbështet bashkëpunimin ndëretnik të bizneseve joformale

Share This
Tags

mimoza-cliffGjakovë- Në kuadër të projektit “Bashkëpunimi ndëretnik i bizneseve joformale” përkrahur dhe financuar nga Ambasada Britaneze në Prishtinë, në Gjakovë, organizata “Iniciativa e Femrës Kosovare” organizoi tryezë të rrumbullakët, ku u bë fjalë për vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë në procesin e kalimit nga biznesi joformal në atë formal, si dhe mangësitë në promovimin e punës së tyre.

Në këtë tryezë morri pjesë kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, ambasadori i Ambasadës Britaneze në Prishtinë, Ian Cliff, si dhe përfaqësues të projektit në Gjakovë, Rahovec dhe Klinë. Në këtë takim u promovua edhe faqja e databazës, ofertë kjo  e mundësisë së regjistrimit të të gjitha bizneseve joformale me të dhënat e tyre, në mënyrë  që të krijohet lidhja e tyre me tregun brenda dhe jashtë Kosovës.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, duke u ndërlidhur me rëndësinë e regjistrimit të bizneseve dhe vështirësitë  me të cilat ballafaqohen gratë në procesin e kalimit nga biznesi joformal në atë formal, ka thënë se “kjo e fundit ndikon direkt në politikat zhvillimore që ofron mundësinë për ide të reja, për zhvillim të qëndrueshëm”. Kusari-Lila ka sqaruar edhe rëndësinë e regjistrimit të bizneseve dhe profitet që mund të kenë me rastin e regjistrimit, duke bërë të ditur se Komuna e Gjakovës do të këtë edhe fondin për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe për bujqësi, por që pa regjistrimin e tyre nuk mund të jenë përfitues të fondeve.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka folur për format e inkurajimit të grave për t’u marrë me zhvillimin e biznesit jo formal në atë formal. “ Ky projekt është me rëndësi dhe ka dinamikën e vet të zhvillimit të bizneseve e përmes tyre edhe të zhvillimit të Kosovës”, ka thënë ambasadori Cliff, duke përfunduar se Kosova ka taksa të vogla për bizneset dhe kjo mund të ndihmojë zhvillimin e tyre kur ato të jenë të regjistruara./radiogjakova/