.
Published On: Wed, Feb 1st, 2017

O’Connell vizitoi Gjakovën

Share This
Tags

Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruariri O’Connell, ka qëndruar sot ( të martën) në komunën e Gjakovës, me ç ‘rast ka zhvilluar një sërë vizitash dhe takimesh.

Fillimisht ai ka takuar përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët ka bashkëbiseduar për aktivitetet dhe projektet e tyre, teksa i ka inkurajuar ata me përkrahje maksimale nga ana e ambasadës së Britanisë dhe shtetit britanik në përgjithësi.

Pas kësaj, ambasadori O’Connell është pritur nga kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, me të cilën po ashtu ka biseduar për projektet dhe planet e komunës së Gjakovës.

Në takim me ambasadorin O’Connel, kryetarja Kusari – Lila ka përmendur angazhimin e saj dhe të qeverisjes lokale, por gjithashtu ka rikujtuar edhe sfidat me të cilat po përballet kjo qeverisje. Nga ana tjetër, ambasadori O’Connel ka thënë se Gjakova është në rrugë të mirë të zhvillimit pasi ka pasur një sërë ndryshimesh pozitive, ndryshime këto që më shumë vërehet nga ata që jetojnë jashtë Gjakovës. Ai e ka inkurajuar kryetaren Kusari – Lila dhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj që të vazhdojnë me të njëjtin tempo të angazhimit, pasi vetëm me një angazhim të tillë, punë të përkushtuar dhe transparencë, mund të krijohet një ambient më i mirë për të jetuar dhe për të punuar në komunën e Gjakovës.

Pas këtij takimi, ambasadori O’Connell ka vizituar edhe Muzeun Etnografik të Gjakovë, me ç ‘rast ka shprehur kënaqësinë e tij që komuna e Gjakovës sot ka në funksion tre objekte muzeale me shumë eksponate me vlerë të madhe historike e kulturore.