.
Published On: Wed, Jan 25th, 2017

Ankesa për emërimin e rrugëve

Share This
Tags

Qytetar nga vendbanime të ndryshme të komunës së Gjakovës po ankohen lidhur me procesin e emërimit të rrugëve në vendbanimet e tyre, duke mos u pajtuar me vendimet që një komision i ngritur nga komuna ka marrë kohë më parë. Këto reagime po vijnë në kohën kur komuna e Gjakovës është në proces të vendosjes së tabelave në rrugët e komunës, si në fshatra po ashtu edhe në qytet. Ky shqetësim i banorëve është konfirmuar edhe në zyrën e kryesuesit të Asamblesë, në të cilën janë deponuar shumë ankesa.

Një nga ankesat që është bërë ka qenë edhe një e banorëve të një pjese të fshatit Shishman i rrafshit. Sipas Ukë Maqit banor i një lagje në këtë fshat, tha se banorët nuk janë të kënaqur me emërtimin e rrugës së tyre nga ana e komisionit për emërimin e rrugëve, ndërsa po kërkojnë nga komuna që ai të ndërrohet.

Për këtë problem është diskutuar edhe në takimin e fundit të Asamblesë Komunale, ku nga këshilltarët janë paraqitur shqetësime të qytetarëve lidhur me emërimin e rrugëve. Ndërkohë nga zyra e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, mësohet se për këtë temë do të bisedohet edhe në takimin e radhës së Asamblesë Komunale që do të mbahet të hënën më 30 janar, pasi është pjesë e pikave të rendit të ditës, ku do të shqyrtohen ankesat dhe kërkesat e këtyre banorëve të komunës.