.
Published On: Tue, Apr 29th, 2014

Asambleja, debate për borxhin

Share This
Tags

Asambleja1Gjakovë- Nën kryesimin e kryesuesit Luan Gola, Asambleja komunale ka mbajtur mbledhjen e katërt për vitin 2014, në të cilën janë shqyrtuar 13 pika të rendit të ditës. Më poshtë ju sjellim disa nga zhvillimet kryesore të ndara në pika nga punimet e Asamblesë.

RAPORTI FINANCIAR PËR VITIN 2014 – Për këtë pikë të rendit të ditës , Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë raportin vjetor financiar për vitin e shkuar, në të cilën, sipas statistikave të ofruara, rezulton se borxhi i Komunës deri me datë 31.12.2013 rezulton të jetë 5,582,270.39 euro. Sipas drejtorit Shala, ky borxh është i faktuar në saje të dokumentacioneve të deritanishme që i posedon dhe se ndërkohë paraqiten edhe fatura tjera të cilat veçse mund të rrisin shumën e borxhit në total.

REAGIMI I AAK-së PËR BORXHIN – Ndaj këtij borxhi kanë reaguar këshilltarët Saranda Hyseni, Pjetër Ndou dhe Mirdita Ademja, nga subjekti politik AAK, të cilët kanë paraqitur ankesat e tyre se ky borxh tregon se është investuar në dobi të qytetarëve dhe se nuk është hera e parë që një qeveri trashëgon borxhe, pastaj se në thesarin e Komunës gjenden tre milion euro që si shumë mund të shlyejë borxhe të konsiderueshme dhe se kanë kërkuar që obligimet ndaj operatorëve ekonomik të shlyhen për sa mundësojnë mjetet financiare, dhe kjo shlyerje të bëhet në çdo muaj.

BORXHET, fjala e Shalës – Nga drejtori Teki Shala janë dhënë shpjegime ndaj asamblistëve të AAK-së dhe subjekteve tjera përfaqësuese në Asamblenë Komunale, i cili ka thënë buxheti komunal i vitit 2014 është i ndarë nga ai i vitit 2013. Në përpjekje për të sqaruar investimet e bëra që janë trashëguar si borxhe, drejtori Teki Shala ka pohuar se janë hapur tenderë në mënyrë që nuk lejon ligji. Mirëpo, për punët e kryera, ka shpjeguar ai, disa borxhe kanë filluar të shlyhen.

BORXHET, fjala e Kusari-Lilës – Për borxhet e trashëguara ka folur edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se, këto borxhe e kanë rënduar gjendjen financiare të komunës dhe se pa dyshim mund të ndikojnë edhe në realizimin e projekteve që ka paraparë qeveria lokale për t’i realizuar. Kusari-Lila ka thënë se do të vazhdojë me realizimin e projekteve dhe falë organizimit të Konferencës së Donatorëve, së shpejti do të ketë mbështetje dhe rezultatet do të shihen së shpejti apo në muajin qershor pasi disa donatorë janë duke shqyrtuar disa nga projektet.

APROVIMI – Ka pasur dhe pyetje dhe kërkesa tjera për sqarim dhe në përfundim është arritur që  kjo pikë e rendit të ditës të aprovohet. Njëjtë, është arritur përfundimi edhe për pikën tjetër që kishte të bënte me bartjen e mjeteve financiare nga viti 2013 dhe rishikimi i buxhetit të vitit 2014. Anëtarët Asamblesë Komunale, po ashtu unanimisht kanë votuar edhe për formimin e Komisionit për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale, ashtu sikurse kërkesa për themelimin e Komitetit Komunal për Personat me Aftësi të Kufizuara.

NDËRTIMET NË SHKUGËZ – Të njëjtin vullnet asamblistët e kanë shprehur edhe për kërkesën për ndërtimin e Qendrës për Personat me Aftësi të Kufizuara, e cila gjendet tek lokacioni i njohur si “garazha e autobusëve”, e cila është në pronësi të Komunës. Për këtë pikë dhe për  dy pikat tjera, që kishin të bënin me ndërtimin e objektit të qëndrimit për personat me moshë të tretë, që gjendet tek Shkugëza si dhe me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për sigurimin e hapësirës për ndërtimin e terreneve të tenisit, po ashtu në Shkugëz, të dhëna të detajuara janë dhënë nga Skender Tullumi, drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës. Ndërsa lokacionet ku do të ndërtohen objektet në fjalë janë shpallur me vendimin e Asamblesë Komunale zona me interes të veçantë, të cilat janë aprovuar.

SHITJA E AUTOMJETEVE ZYRTARE – Kërkesa për shitjen e automjeteve zyrtare të Komunës së Gjakovës përmes ankandit publik, përfshirë dhe automjetet, është aprovuar unanimisht nga përfaqësuesit e Asamblesë. Ndërkohë është plotësuar edhe me tre anëtarë Komisioni Komunal i Aksionarëve për Ndërmarrjen Publike Komunale “Stacioni i Autobusëve”.

DAVID CHATER, QYTETAR NDERI – Ndër pikat tjera të shqyrtuara ishte edhe çështja e shpalljes Qytetar Nderi i Komunës së Gjakovës, të gazetarit të njohur të “Sky News”, z, David Chater, i cili si reporter lufte ka hyrë para forcave paqësore të KFOR-it në Gjakovë dhe ka ndikuar shumë tek ato forca që të parandalojnë një masakër të mundshme në Gjakovë. Për këtë pikë të rendit të ditës anëtarët e AAK-së kanë qenë kundër, por me shumicë votash është aprovuar që për gazetarin në fjalë të filloj proceduar e shpalljes qytetar nderi i Gjakovës. /radiogjakova/