Asambleja mblidhet të martën, ja pikat e rendit të ditës
Gjakovë- Asambleja e Gjakovës të martën e 25 marsit mban mbledhjen e saj të tretë që kur doli nga zgjedhjet lokale. Ajo pritet të nisë në ora 10:00 dhe nga kryesuesi i saj, Luan Gola është propozuar rendi i dtës.
Fillimisht do të bëhet shqyrtimi i procesverbalit të mbledhjes së Kuvendit të mbajtur me datë 28.02.2014, më pas shqyrtimi i kërkesës për formimin e Komisionit për Emërtimin e Rrugëve; Themelimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Gjakovës; Shqyrtimi i propozim-vendimit të kryetares së komunës, Mimoza Kusari Lila për dhënien në shfrytëzim të paluajtshmërive dhe objekteve shkollore komunale për plotësimin e nevojave të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë;
Debati për shëndetësi në Komunën e Gjakovës; Formimi i Komisioneve Komunale të Aksionarëve për Ndërmarrjet Publike Komunale “Stacioni i Autobusëve”, KRM “Çabrati” dhe “Ngrohtorja e Qytetit” dhe Të ndryshme./radiogjakova/