.
Published On: Fri, Feb 23rd, 2018

Asambleja shfuqizon vendimin për mbulimin e shpenzimeve të varrimit

Share This
Tags

Asamblistët gjakovarë u mblodhën të premten në seancën e tretë për këtë vit. Një debat i gjerë është zhvilluar rreth revokimit të vendimit të Kuvendit të Komunës për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët gjakovarë.

Këtë pikë të rendit të ditës e ka elaboruar drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati, nga buxheti i cilës drejtori duhet të sigurohen mjetet për këtë qëllim.

“Arsyeje është se nuk janë planifikuar si duhet mjetet as në vitin 2017, as në vitin 2018. Kemi edhe 640 raste të pa paguara që kapin vlerën rreth 120 mijë euro, ndërsa për këtë vit janë ndarë 22 mijë e 500 euro. Pra, edhe nëse revokohet ky vendim ne do të jemi 100 mijë euro borxh”, tha Kastrati.

Ai kujtoi se Komuna ka obligime ndaj disa projekteve me financim dhe shpronësime. Kastrati u shpreh se për projektet me bashkëfinancim janë planifikuar 88 mijë e 750 euro për këtë vit, ndërsa vetëm për e Komunës kërkohen 500 mijë euro. Për këtë arsye janë të detyruar të marrin vendime të tilla.

Këtë vendim për revokim e mbështeti edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se Komuna ka obligime të mëdha, ndërsa janë të detyruar të përballen edhe me planifikim të gabuar buxhetor nga administrata e kaluar.

“Kemi obligime jashtëzakonisht të mëdha. Ka qenë obligim i Komunës me përfunduar rrugën deri të Ngrohtorja e re në mënyrë që me nis ndërtimi, por janë paraparë mjete 5-fish më pak se sa kushton rruga. Janë paraparë veç 600 mijë euro për shpronësime të cilat na i kanë marrë përmbaruesit për shkak të borxheve të kaluara, ndërsa kemi 1 milion e 800 mijë euro obligime të pakryera plus 150 mijë euro gjobë shtesë, prandaj duhet të ndërmarrim diçka”, theksoi Gjini.

Kreu i komunës tha se e kuptojnë që bëhet fjalë për jetë të humbura, po sipas tij, ata që deri më sot kanë përfituar nga kjo skemë kanë qenë “njerëz që kanë parkuar përpara Komunës makina 1000 herë më shumë se shuma e përfituar.”

Përfaqësuesja e opozitës, Diana Qarkaxhia nga Alternativa, tha se është e vërtetë që ka ndodhur të vijnë njerëz me vetura të shtrenjta, por shtoi se ka njerëz me kushte të rënduara ekonomike që nuk është e drejtë të përjashtohen nga kjo ndihmë.

“Është e vërtetë që kanë ardhur njerëz me vetura siç thotë kryetari, por dorën në zemër nuk kanë qenë të gjithë ashtu. Kemi njerëz që jetojnë me paga minimale e nuk janë në asistencë sociale. Borxhet kanë mbetur për shkak të mos rishikimit të buxhetit në nivel qendror që ishte paraparë në shtator e që nuk ndodhi”, u shpreh Qarkaxhija.

Ajo shtoi se Komuna e Gjakovës ka mjete të cilat dalin në muajin mars dhe prill nga të hyrat vetanake dhe nga aty është mundësia t’i destinojnë mjetet.

Kundër revokimit u deklarua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Asamblisti Bekim Ermeni tha se duhet të gjenden mjetet në mënyrë që të shlyhen edhe obligimet e mbetura nga ato 640 raste.

“Këtu flitet për ujëra të zeza, rrugë, projekte të tjera. Do të ishte mirë t’i qëndrojmë pikës së rendit të ditës dhe të mos ngatërrohemi. Për një mos planifikim të mirë, për 100 mijë euro ne jemi kundër revokimit”, u shpreh Ermeni.

Në fund, me 18 vota pro, 14 kundër dhe një abstenim është aprovuar revokimi i vendimit të Kuvendit të Komunës për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e komunës së Gjakovës, ndërsa pas kësaj ka mbetur në fuqi vendimi i paraprak, i cili parasheh pagesën e shpenzimeve të varrimit vetëm për rastet sociale./radiogjakova/