Asnjë asambleist nga komuniteti RAE
Gjakovë- Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, Asambleja komunale në Gjakovë, nuk do të ketë asnjë anëtar, përfaqësues të komunitetit pakicë. Ky gjë duket mjaft e cuditshme, duke e pasur parasysh faktin se komuna e Gjakovës ka një numër të konsiderueshëm të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, ose me konkretisht rreth 4 mijë pjestarë të këtyre komuniteteve me të drejtë vote.
Por, pse ka ndodhur kjo, tregojnë vetë qytetarët e komuniteteve pakicë. Ata thonë se përfaqësuesit e deritashëm të pakicave nuk kanë punuar aq sa duhet për ta dhe nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna 4 vjet më parë. Banorët thonë se kanë zgjedhur partitë e mëdha, të cilat shpresojnë se do t’u ndihmojnë më shumë në të ardhmen. “Kurre kurgjo nuk ka ba për ne. Vetëm na kanë marrë votat e më nuk kanë ardh kendej pari”, thotë Ibrahim Qallaku, një banor i lagjes Sefë.
Edhe Dritoni, një i ri egjiptas, thotë se të zgjedhurit e tyre kanë menduar vetëm për veten, të afërmit e familjarët por asnjëherë për komunitetin. “Për vete janë rehatuar nëpër zyra, me kravata e tesha të mira. Ndërsa për ne qe jëmi pa punë e shpesh edhe pa bukë kurre nuk janë lodhur”, ka thënë ai.
I ashpër me përfaqësuesit e komuniteteve në komunën e Gjakovës është treguar edhe Lendrit Qeli, nga Organizata Joqeveritare “Prosperiteti”. Ai ka shtuar se që nga paslufta pozita e qytetarëve Rom, Ashkali dhe Egjiptas ka ndryshuar shumë pak dhe kjo pikërisht për shkak të paaftësisë së përfaqësuesve të tyre në qeveritë e deritashme komunale.
“Kësaj rradhe komuniteti e ka parë veten jo të përfaqësuar mirë dhe ka vendosur ta bartë votën tek partitë tjera. Gjithashtu ndikim ka pasur edhe koalicioni i gabuar që këta përfaqësues e kanë bërë me AAK-në. Mendoj se qytetarët komunitar u kanë dhënë përgjigjen e merituar përfaqësuesve të tyre të deritashëm. Qytetarët e japin verdiktin përfundimtar e nuk janë thjeshtë shikues në teatër, ashtu siç janë konsideruar deri me tani”, ka thënë Qeli.
Por, ndryshe nga qytetarët dhe shoqëria civile mendon Bislim Hoti, i cili si përfaqësues i subjektit politik Iniciative e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), ka qenë zëvendëskryesues në Asamblenë komunale. Për numrin e vogël të votave që ai dhe partia e tij kanë marr në këto zgjedhje, Hoti i ka fajësuar direkt partitë e mëdha. “Partitë e mëdha vetëm që nuk kanë fjetur në lagjet e komuniteteve. Kanë bërë presione të mëdha dhe i kanë joshur ata me ndihma e para të gatshme. Me një fjalë kanë bërë garë të padrejtë”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se një faktor tjetër që ka ndikuar në numrin e vogël të votave, ka qenë edhe mungesa e njohurive të tyre se si duhet votuar. Sipas tij, shumica e votive të pa vlefshme në komunën e Gjakovës, kanë qenë vota të komunitetit pakicë.
Megjithatë, Hoti nuk ka lënë pa kritikuar edhe bashkëqytetarët e vet, për të cilët ka thënë se janë treguar mos mirënjohës ndaj punës së deritashme. “Janë mbi 700 mijë euro investime dedikuar vetëm komuniteteve që janë bërë gjatë këtyre viteve. Janë plot projekte të cilat shihen e preken nga këta qytetarë”, ka përfunduar ai./radiogjakova/