Behgjet Pacolli ngushëllon për humbjen e Ollonit
Në një letër drejtuar familjes së Gent Ollonit, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ngushëlloi për vdekjen e asamblistit të partisë së tij.
“E nderuara familje Olloni, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit, babait dhe djalit tuaj të dashur. Do të na mungoje te gjithëve energjia, angazhimi dhe puna e tij e palodhshme që ai ia përkushtoi kauzës dhe vizionit të AKR-së, në interes të të gjithë qytetarëve të Gjakovës,” thuhet në ngushëllimin e Behgjet Pacollit për familjen e asamblistit që vdiq sot.
Pacolli në letër tregon se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të jetë pranë familjes së të ndjerit në këto çaste pikëllimi, por lutet që shpirti i Gent Ollonit të prehet në paqe.
Olloni përveç asamblist, ishte edhe sekretar i degës së AKR-së në Gjakovë.