.
Published On: Mon, Dec 25th, 2017

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjet

Share This
Tags

Besimtarët e krishterë në Gjakovë, ashtu si të gjithë katolikët shqiptarë, kremtuan në mesnatë lindjen e shpëtimtarit. Mesha në Gjakovë ishte në orën 00:00 në kishën e shën Pjetrit dhe shën Palit.

Kisha ishte e mbushur me besimtarë, ndërsa meshën e mesnatës e udhëhoqi Mons. Hil Kabashi, e bashkë me të koncelebruan edhe Pater Anton Nua dhe Pater Ndue Kajtazi, guardian dhe famullitar i fam. së Gjakovës.

Nga personalitet politike që morën pjesë në meshën shenjtë ishin kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nënkryetari Ramadan Hoti dhe përfaqësues të tjerë nga partitë politike që veprojnë në Gjakovë.

Në këtë festë, më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, u bë thirrje për më shumë dashuri e mirësi mes njëri-tjetrit.

“Kjo kohë e ftoftë dhe dimërore, me acar dhe shpesh herë me borë dhe ngrica nuk është aq e rëndësishme sepse janë kushte atmosferike, por zemrat e ftohta, ndarjet, përçarjet, luftërat rreziqet e shumta të terrorizmit edhe më tepër e zbehin globin tokë që i jep shije të keqe njerëzimit si krijesa të Zotit”, u tha në këtë meshë.

“Bota është e lodhur dhe e rraskapitur – u tha më tej- sepse bën garë cili është më i madh. Ka një konkurrencë të pashpirt ndërmjet qeverive, kishave, popujve, brenda familjeve, ndërmjet famullive: kush është më i madh ndër ne? Bota është plot plagë të dhimbshme sepse sëmundja e saj më e keqe është: kush është më i madh?”

Pas meshës së mesnatës, Rinia Françeskane e Gjakovës, kishin përgatitur “Betlehemin e Gjallë” në oborrin e kishës së shën Pjetrit e shën Palit, gjithashtu besimtarët mund të shërbeheshin me një gotë verë apo çaj falas.