.
Published On: Mon, Feb 26th, 2018

Bora krijon vështirësi në qarkullim

Share This
Tags

Të hënën Gjakova u zgjua nën petkun e bardhë. Bora që kishte rënë gjatë së dielës dhe temperaturat nën 0 krijuan vështirësi në qarkullim mëngjesin e së hënës si për makina, ashtu edhe për këmbësorë.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati, njoftoi se kompanitë përgjegjëse për pastrim janë angazhuar gjatë gjithë natës ndërsa vazhdojnë të jenë në terren.

“Gjendja e rrugëve në komunën e Gjakovës është e mirë. Pritet që deri në fund të ditës të përmbyllen edhe pjesët e fshatrave ku konfiguracioni i terrenit është më i vështirë”, u shpreh ai.

Mësohet se gjendja më e vështirë është në drejtim të Dushkajës, përkatësisht në fshatin Shqiponjë, si dhe në fshatin Goden ku për shkak të natyrës së rrugës qarkullimi ka qenë më i vështirë.

Komandanti i Trafikut në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Albin Sahatqija, konfirmoi se rrugët e Gjakovës janë të kalueshme. Ai përmendi vetëm dy aksidente me dëme material që janë shkaktuar gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës.

Sahatqija kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik të jenë shumë të kujdesshëm për shkak të borës dhe ngricave, ndërsa nëse është e mundur qytetarët të mos përdorin mjetet për distanca të shkurtra si dhe të kenë kujdes ku parkojnë pasi nuk mund të bëhen pengesë në trafik.

Bora krijoi vështirësi edhe në transportimin e nxënësve deri në shkolla mëngjesin e së hënës në disa prej fshatrave malorë. Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj, tha se të tilla probleme ka pasur në fshatrat Ujëz e Fshaj, ndërsa vështirësi janë raportuar edhe në fshatin Shqiponjë.

Drejtori Frrokaj ka siguruar se të gjitha shkollat kanë ngrohje, por kanë mjaftueshëm lëndë djegëse që garanton ngrohje deri në ngritjen e temperaturave./radiogjakova/