Bora në Gjakovë, situata vlerësohet e qetë
Gjatë 24 orëve të shkuara Gjakovën e ka përfshirë një mot me reshje bore dhe temperatura të ulëta. Derisa në qytet trashësia e borës ka arritur deri në 40 centimetra në disa zona rurale ajo është shumë më e madhe.
E derisa bora ka gëzuar më të vegjlit dhe adhuruesit e skijimit, dhe i është bashkuar atmosferës festive të fundvitit, në anën tjetër bora dhe akulli ka vështirësuar qarkullimin e trafikut.
Pas ndërprerjes së borës gjatë natës gjendja paraqitet më e qetë. Të gjitha linjat e autobusëve drejt qendrave kosovare po funksionojnë, por me vonesa të theksuara.
Burim Meqa, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka thënë se gjendja më e rëndë është në disa fshatra të zonës së Hasit dhe në fshatrat Dobrosh dhe Molliq të Rekës së keqe të cilat gjatë ditës do të pastrohen.
Ndryshe pas reshjeve të borës në Komunën e Gjakovës, është mbajtur mbledhja e grupit të emergjencave për menaxhimin e situatës, të cilën e ka kryesuar kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila.
Situata në Qendrat e Mjekësive Familjare paraqitet e qetë, ku çdo gjë është në funksion, objektet e furnizuara me naftë, si dhe automjetet e ndihmës së shpejtë janë të pajisura me pajisje dimërore./radiogjakova/