.
Published On: Sun, Jan 4th, 2015

Bora “ngrin” marrëdhëniet mes Komunës dhe “Çabratit”

Share This
Tags

gjakova-qendra-boraBora që ka mbuluar Gjakovën në ditët e fundit të 2014-ës dhe ditët e para të 2015-ës ka ngjallur një debat të madh rreth pastrimeve të rrugëve të komunës. Këto debate tashmë janë ngritur edhe në nivel politik duke shpërthyer në akuza dhe kundër akuza.

Drejtori i kompanisë “Çabrati”, Avdullah Babalija përmes një konference për medie ka hedhur poshtë akuzat e kryetares Kusari-Lila që gishtin e fajtorit për gjendjen e rrugëve të Gjakovës e drejtoi nga kompania që drejton ai. “Unë mendoj se këto akuza janë të padrejta ndaj ‘Çabratit’. Ne si kompani ju kemi përgjigjur situatës në mënyrë adekuate me kapacitetet tona. Edhe pse nuk kemi pasur një kontratë të lidhur me komunën për pastrimin e borës, ne kemi marrë një përgjegjësi morale që ta mbështesim këtë aksion”, ka thënë Babalija.

Babalija, që i kishte skaduar kontrata, përmes një njoftimi në “Facebook” ka njoftuar se është shkarkuar nga detyra e drejtorit, ndërsa më herët në konferencë kishte paralajmëruar këtë vendim që mund të merrej, pasi, sipas tij, ishte kërcënuar nga Kusari-Lila të mos fliste me gazetarët.

“Më  herët e pata një telefonatë nga kryetarja e komunës, e cila më tha se nëse dal me deklarata në media do të shkarkohem nga posti i drejtorit të kompanisë. Që nga muaji gusht kam pasur presione të ndryshme nga ana e komunës. M’i kanë dërguar inspektorët e ATK-së, auditorë të ndryshëm e deri tek hetuesit e krimeve ekonomike. Kjo e ka destabilizuar pak situatën në ndërmarrjen tonë”, është shprehur Babalia.

Megjithatë, pretendimet e drejtorit të “Çabratit” janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e komunës, Abetare Domi që ka thënë se Babalija nuk është kërcënuar nga askush, përkundrazi, sipas saj, Babalija ka sabotuar punën duke e keqpërdorur pozitën e tij.

“Nuk është absolutisht e vërtetë që kryetarja e ka kërcënuar ose ka kryer presion ndaj ish-drejtorit, e vërteta është që kryetarja gjithmonë i ka dhënë shansin për punë, përfshirë edhe rastin e fundit tani me pastrimin e bores kur urdhëri për pastrim ka qenë i hapur prej ditës kur kanë filluar reshjet e borës. Në rastin e ‘Çabratit’, gjatë këtij vitit nuk është lënë hapësirë pa u sabotuar puna që ka qenë përgjegjësi e ndërmarrjes, qoftë gjatë periudhës së verës me menaxhimin e mbeturinave, qoftë gjatë periudhës së dimrit me pastrimin e rrugëve nga bora”, ka thënë Domi.

Ndryshe, për gjendjen e krijuar, të dielën ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë. Përmes një konference për media, zyrtarë të saj kanë thënë se komuna e Gjakovës ka dështuar me menaxhimin e situatës së krijuar. “Në këtë rast faji nuk është i kompanive, por është i vet komunës, e cila ka dështuar dhe nuk ka ditur ta menaxhojë si duhet situatën e krijuar. Me vetëm 30 centimetra borë komuna e Gjakovës është kolapsuar, paramendojeni se çfarë mund të ndodhte nëse do të binte borë, ta zëmë siç pati rënë në vitin 2012 mbi një metër trashësi”, ka thënë Dervish Tahiri nga ky subjekt politik./radiogjakova/