.
Published On: Thu, Apr 13th, 2017

Bordi i Drejtorëve miraton kërkesat e fermerëve

Share This
Tags

Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjakovës miratoi kërkesën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për participim me 20% të vlerës totale të granteve nga organizata gjermane HELP, e cila edhe këtë vit do të ndaj grante për bizneset lokale të fokusuara kryesisht në sektorin e artizanateve në zhdukje.

Komuna e Gjakovës për këtë projekt do të kontibuojë me mjete në shumë prej 9200 euro nga vlera e përgjithshme prej 46 mijë euro.

Udhëheqësi i Zyrës komunale për Komunitete dhe Kthim, Armend Behluhi, paraqiti kërkesën për vazhdimin e pagesës së qirasë për personat me aftësi të kufizuara nga skema e ri-integrimit, kërkesë e cila gjeti mbështetjen nga Bordi i Drejtorëve.

Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, prezantoi dy kërkesa të cilat po ashtu kanë gjetur miratimin e Bordit të Drejtorëve.

Kërkesa e parë ka të bëjë me subvencionimin e sektorëve lavërtari, pemëtari dhe perimtari me 25 copë moto kultivatorë të dorës, ndërsa kërkesa e dytë ka të bëjë me mirëmbajtjen e kanalit të ujitjes në fshatin Stubëll.

Në fushën e kulturës, Bordi i Drejtorëve miratoi edhe dy kërkesa të paraqitura nga Meriton Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje të aktivitetin tradicional të revistës memorial “Nura Bejtullahu Domi”, si dhe për subvencionimin e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” për manifestimin letrar “Në rrugëtim me Yllka Domin”.

Në fund, Bordi i Drejtorëve ka dhënë miratimin edhe për kërkesat e Drejtorisë së Arsimit për subvencionimin e transportit të nxënësve me aftësi të kufizuara si dhe dy kërkesat të tjera që kanë të bëjnë me lejimin e ndërtimit të shkollave sipas projekteve.