Braktisja e shkollës nga vajzat, dukuri shqetësuese
Braktisja e shkollimit nga ana e vajzave, ndonëse ka shënuar rënie në krahasim me të kaluarën, megjithatë edhe sot vazhdon të mbetet një shqetësim për shoqërinë tonë.
Sipas organizatave që në vazhdimësi e përcjellin këtë dukuri, në komunën e Gjakovës, në veçanti në zonat rurale, janë identifikuar raste të bollshme të vajzave që ndërpresin shkollimin pas klasës së gjashtë apo të shtatë të shkollës fillore, me arsyetime të ndryshme, kryesisht të bazuara tek gjendja e rëndë ekonomike.
Megjithatë, është vërejtur se pas kësaj ende fshihet dominimi patriarkal në disa familje, si njëra ndër arsyet kryesore të braktisjes së shkollimit nga vajzat. E që kjo dukuri të zvogëlohet për çdo ditë e më tepër, Shoqata për Edukimin dhe Përkujdesjen e Familjes në Gjakovë është duke realizuar projektin kushtuar arsimimit të vajzave në rajonet rurale të komunës së Gjakovës.
Sipas Bahrije Devës, gjatë kësaj periudhe të punës në fshatrat e Gjakovës, janë realizuar 16 punëtori me vajza, gra dhe burra për vetëdijesimin e tyre mbi rëndësinë e shkollimit./radiogjakova/