“Buçaj” shpërndan rreth 3000 euro ndihma në Gjakovë
Gjakovë- Në vigjilje të festës së Kurban Bajramit, kompania “Buçaj” nga Prishtina, përmes shoqatës “Nënë Tereza” ka shpërndarë rreth 40 pako ushqimore për familjet në nevojë të komunës së Gjakovës.
Muharrem Jupa, kryetar i shoqatës “Nënë Tereza”, dega në Gjakovë, ka thënë se pakot janë me të mira materiale ushqimore dhe higjenike në vlerë 75 euro për familje. Çdo pako përfshin miell, vaj, sheqer, qumësht, çaj, shampo dhe gjëra tjera.
“Ne jemi mirënjohës për donacionin që vjen nga kompania “Buçaj” nga Prishtina në vlerë rreth 3000 euro për degën e Gjakovës. Kemi pasur shumë ëvshtirësi të selektojmë 40 familje duke ditur se numri i skamnorëve është tejet i madh, por duke falenderuar aktivistët në teren, konsiderojmë se ju kemi dhënë ndihmë atyre që e meritojnë”, ka thënë Jupa.
Po ashtu, kjo shoqatë ka ftuar gjithë ata të cilët kanë nevojë për veshmbathje që të paraqiten ne zyret e kësaj shoqate nga ora 10-14 në objektin e ish-Kadastrës, kati i dytë, pasi këto ditë kanë pranuar disa ndihma për rreth 300 persona të dy gjinive dhe moshave të ndryshme e të cilat do t’i shpërndajnë./radiogjakova/