.
Published On: Wed, Feb 14th, 2018

Debatet pas operimit të kryer nga kirurgu serb në Gjakovë, Asllani: Ja e vërteta

Share This
Tags

Shoqata e Kirurgëve të Përgjithshëm dhe Abdominal të Kosovës ka reaguar lidhur me angazhimin e një mjeku serb nga Beogradi për operimin e një pacienti i cili është bërë në spitalin “Isa Grezda “ në Gjakovë.

Mjeku serb, Nenad Ivonçeviç ishte angazhuar, pasi Reparti i Kirurgjisë në Spitalin e Gjakovës, muajin e kaluar , parashtroi një kërkesë në Bordin për Licencim pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për licencimin e një profesionisti shëndetësor të huaj, me arsyetimin se operacioni për heqjen e lukthit nuk kryhet në spitalet regjionale.

Kjo kërkesë e tyre ishte aprovuar nga Bordit për Licencim që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por në reagimin e Shoqatës së Kirurgëve të Përgjithshëm dhe Abdominal të Kosovës, thuhet se këto operime realizohen me sukses në mënyrë rutinore nga kirurgët kosovarë.

“Nëse stafi kirurgjik në Spitalin  Kirurgjik  të  Gjakovës ka pasur  nevojë për përkrahje profesionale për  këtë lloj operimi, ne si shoqatë kemi qenë dhe jemi  të gatshëm  edhe në të ardhmen t’ju dalim  në ndihmë si staf kirurgjik. Andaj arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë  dhe  Bordit për  Licencim, se operimi i tillë i lukthit nuk mund të realizohet në Kosovë, është i  pavërtetë  dhe denigrues për shoqatën dhe shëndetësinë  kosovare në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Pas këtij reagimi, sqarime ka dhënë drejtori i spitalit “Isa Grezda”, Ahmet Asllani, duke theksuar se Spitali i Gjakovës ka respektuar vendimin e Bordit për Licencim.

“Pas insistimit të palës për një pacient në gjendje të rëndë nga një familje e dëshmorëve, në pamundësi për ta dërguar jashtë vendit, me insistimin e kirurgëve të Spitalit rajonal të Gjakovës ‘Isa Grezda’ për të ardhur një kirurg, profesor i njohur nga Beogradi, kemi dërguar kërkesën në Bordin qendror për Licencim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në mënyrë të rregullt ka marrë aprovimin e licencimit për të mirën e pacientit”, u shpreh Asllani.

Ai shtoi se operimi ka shkuar shumë mirë dhe është asistuar nga kirurgët e spitalit të Gjakovës. Sipas Asllanit, aprovimi është dhënë pas është thënë se operime të tilla nuk kryhen në Kosovë, ndërsa vendimet e Bordit nuk mund t’i kundërshtojë askush.

Drejtori Asllani tha se nuk sheh asgjë të gabuar në gjithë këtë rast, duke qenë se përfitues ka qenë vetë pacienti që tani është në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpinë e tij./radiogjakova/