Detajet e aksidentit tragjik që morri jetën e Zarushit
Gjakovë- Temperaturat e larta që kanë mbretëruar javën që lamë pas në Gjakovë kishin shtyrë Gjylgjyzare Karaxhija Xharavina që, ndryshe nga herët e tjera, të enjten të nisej me biçikletë për në vendin e punës, në të cilin nuk arriti kurrë.
Si çdo mëngjes, kishte mbushur shportën me libra e ëmbëlsira që tashmë e kishte bërë traditë t’ua dërgonte pjesëmarrësve në trajnimet që ajo i mbante në Qendrën e Edukimit të Vazhdueshëm në Gjakovë.
E ngarkuar më shumë se herëve tjera, Gjylgjyzarja, e njohur si Zarushi, pak para se të arrinte në vendin e saj të punës e kishte telefonuar kolegun shumëvjeçar, Rubik Bejtullahun.
“Rubik dil për dy minuta përpara zyrës se i kam dy qese me vete dhe më ndihmo”, tregon Rubiku fjalët e fundit me Zarushin. Ai kishte dalë ta priste, por Zarushi nuk dukej kund. Pak metra më tej ajo ishte goditur nga një furgon dhe ishte dërguar menjëherë në Qendrën Emergjente në Gjakovë.
“Prita që po vjen e nuk shkuan as dhjetë minuta e më telefonoi një studente e jona që punon në Qendrën Emergjente me lajmin e keq se Zarushi është aksidentuar. Se është në gjendje kritike, pa vetëdije dhe ka gjakderdhje në tru”, tregon më tej Rubiku, i fundit që ka biseduar me tashmë të ndjerën Xharavina.
Ajo ishte aksidentuar nga një furgon “Wolkswagen T4” në rrugën që të shpie drejt spitalit, aty përgjatë Parkut të Kusarëve. Ishte ora 08.30 dhe në orën 09.00 duhej të fillonte punën. Vozitësi i automjetit, Armend Sh. (1983), punonjës në një firmë që shet pjesë të automjeteve në Gjakovë, gjendet në paraburgim.
Raportet e para policore tregojnë se biçikleta është goditur nga prapa në rrotën e pasme dhe e ndjera kishte rënë me kokë në xhamin e furgonit për t’u rrëzuar në asfalt. Megjithatë hollësi pritet të sjellin hetimet që janë në vazhdim.
Ajo që dihet është se në spitalin e Gjakovës ajo kishte shkuar pa vetëdije. Ekipi kujdestar me në krye mjekun Jeton Vorfi ia kishin dhënë ndihmën e parë sa për t’ia ndaluar gjakderdhjen e madhe dhe menjëherë me ndihmën e shpejtë, ishte nisur drejt Qendrës Emergjente në Prishtinë. Prej aty, me insistimin e familjarëve, Zarushi ishte dërguar në Shkup në spitalin “Sistina”.
“Dy orë e gjysmë ka zgjatur operacioni. Pas intervenimit mjeku kujdestar na tha se gjakderdhjen ia kemi ndërprerë, por për fat të keq truri është i dëmtuar rëndë dhe prognoza është e keqe, me gjasa vetëm një për qind dhe ajo, nëse ndodh, është mrekulli e zotit”, tregon Rubiku, i cili e kishte shoqëruar bashkë me familjarët e tashmë të ndjerës.
U ishte thënë se 72 orët e para janë kritike, por asaj rrahjet e zemrës i ishin ndalur vetëm 48 orë nga aksidenti. Ajo ka ndërruar jetë të shtunën në Shkup dhe varrimi u bë të hënën në Gjakovë.
“Gjakova është në zi. Ka humbur një femër inteligjente, humane, një femër të edukuar e me kulturë të jashtëzakonshme”, thotë Rubiku, i cili që nga paslufta ka punuar me të ndjerën në Qendrën për Edukim të Vazhdueshëm. E ndjera bashkë me kolegët e saj për vite kanë trajnuar infermierë të Gjakovës e pos mësimeve, çdo ditë kishte gatuar në mëngjes dhe pjesëmarrësit i kishte shërbyer me ushqim e ëmbëlsira.
Gjylgjyzarja kishte lindur në Zagreb ku edhe e kishte përfunduar shkollimin fillor. Kishte vazhduar jetën në Prishtinë, ndërsa ishte martuar në qytetin e Gjakovës ku edhe e ka vazhduar veprimtarinë e saj.
Ajo ka lënë pas vetes bashkëshortin dhe vajzën 18 vjeçe, e cila studion në Shkup. Të shtunën mbrëma në kryeqytetin maqedonas, në Tiranë ku ishte në studime të Masterit, në Universitetin “Kristal” e në Gjakovë ku ishte edhe kryetare e grupit të asamblistëve të AKR-së, për të janë ndezur qirinj.
“Një ditë para aksidentit jam parë për të fundit herë me Zarushin, pasi në Gjakovë ishte për vizitë zëvendësambasadorja amerikane. Zarushi ka marrë pjesë në shumë trajnime të organizuara nga SHBA andaj ishte në takim”, tregon kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari – Lila, e cila vdekjen e Zarushit e cilëson si humbje të madhe.
Edhe në fjalët në takimin e fundit me Zarushin, kryetarja Lila e kujton entuziazmin e saj. “Si shefe e asamblistëve me tha që në takimin që kishim caktuar mu për në ditën kur ndodhi aksidenti, do të prezantonte disa emra të rinj për komisionet komunale”, thotë Lila./zeri/