Dhuna në familje, asamblistët gjakovarë në mbledhje të jashtëzakonshme
Dita e Gruas mblodhi asamblistët gjakovarë në një mbledhje të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: Dhuna në Familje në komunën e Gjakovës.
Folësja e parë në këtë temë ishte Mimoza Shala nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik ky që ishte edhe iniciatorë i kësaj mbledhje.
Pasi prezantoi të dhëna lidhur me gjendjen e dhunës në komunën e Gjakovës, ajo ka thënë se gruaja gjakovare vazhdon të përballët me shumë sfida.
Në anën tjetër, Muharrem Musa nga AAK, veçoi ndihmën e rëndësishme të organizatave ndërkombëtare në fuqizimin e gruas.
Në anën tjetër, Drita Buza-Zhaveli nga Alternativa ka thënë se kjo pikë e rendit të ditës nuk e ka pasur vendin në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, duke qenë se ka mekanizma të cilat trajtojnë këtë çështje.
Njëjtë ka menduar edhe Zef Komani nga PSHDK, i cili është shprehur se Kuvendi ka shumë çështje të tjera më të rëndësishme për t’u trajtuar.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se nisur nga rëndësia që ka, kjo pikë e rendit të ditës është mire që po trajtohet edhe nga kuvendarët. Sipas tij, është mirë që gratë janë vetëdijesuar dhe raportojnë dhunën, por kjo nuk do të thotë se kemi më shumë dhunë se para viteve ’90-të.
Në pajtueshmëri të plotë të të gjitha grupeve politike, në mesin e rekomandimeve të dala nga kjo seancë kanë qenë edhe rekomandimet për më shumë projekte vetëdijesimi, më shumë vëmendje për fëmijët gjatë procesit mësimor, më shumë vigjilencë dhe raportim për këtë dukuri nga organet e rendit.