Disa rrugë pa ndriçim publik
Një pjesë e qytetit të Gjakovës po vazhdon të jetë në errësirë gjatë orëve të mbrëmjes, për shkak të mungesës së ndriçimit publik. Kjo nuk po u pëlqen qytetarëve të cilët thonë se po ndihen të rrezikuar si pasojë e territ. Ata po apelojnë tek komuna që sa më shpejtë ta bëj një zgjidhje, sepse përpos rrezikut, terri po krijon edhe pamje të shëmtuar për qytetin.
E gjendjen e krijuar e kanë pranuar edhe në komunë. Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se aktualisht janë dy rrugë pa ndriçim publik. Sipas tij rruga “UÇK” dhe ajo “Migjeni” tash e sa ditë janë pa drita, për faktin se në këto dy rrugë ka ndodhur një prishje më e hershme, e cila nuk mund të rregullohet pasi kompanisë së deritashme për mirëmbajtjen e ndriçimit publik i ka skaduar kontrata.
Tafarshiku ka thënë se brenda dy apo tre ditësh do të caktohet kompania fituese, pasi procesi i tenderimit është në fazën e fundit dhe pas kësaj do të rregullohet edhe ndriçimi në këto dy rrugë, të cilat janë dy rrugët e vetme në komunën e Gjakovës ende pa ndriçim publik./radiogjakova/