Diskutohet për Çarshinë e Madhe, formohet grupi punues

Gjakovë- Të shtunën në ambientet e Kuvendit Komunal është mbajtur debati publik për Çarshinë e Madhe ku është formuar edhe grupi punues që përbëhet nga Komuna dhe grupet e interesit të cilët do të punojnë për të sjellë ide pa dëmtuar asnjërën palë dhe që do keni takime në vazhdimësi.
Në debat, fillimisht nga kryetarja Mimoza Kusari Lila është thënë që projekti i Çarshisë në të vërtetë nuk ka pasur fare projekt dhe ka pasur shkelje të natyrave të ndryshme dhe keqpërdorim të parasë publike që i kanë lënë asaj mbi supe një borxh të madh. Duke folur rreth gjendjes aktuale në këtë pjesë të qytetit, ajo ka pohuar se Çarshia shihet si zonë turistike me trashëgimi kulturore-historike, përkundër disa njoftimeve nuk e ka ndërmend të mbyllë kafiteritë porse të stimulojë zanatlinjtë, pastaj që të jetë një pikë promovuese si dhe të bëhet rregullimi i hapësirave në këtë pjesë.
Udhëheqësja e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Silvana Domi ka thënë se Komuna i ka borxh operatorit RSM rreth 170 mijë euro, pasi janë paguar njëherë 50 mijë nga borxhi në total që ishte rreth 220 mijë euro. Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit ka bërë të ditur se është bërë incizimi i punimeve të ekzekutuara nga “Lama e drithit” deri tek objekti i Fakultetit të Edukimit.
Ndërkaq, duke dhënë sqarimet e tija për shfrytëzimin e hapësirave publike prej bizneseve të hotelerisë që kanë filluar së funksionalizuari, ka pohuar se sipas rregullores nuk lejohet që Komuna të mundësojë një shfrytëzim të tillë.
Hoxha ka sjellë dhe sqarimin tjetër se aktualisht në këtë pjesë të Çarshisë duhet të mundësohet qasja emergjente për zjarrfikës dhe ambulanca ku nevojitet hapësirë prej 3.20 metrave dhe për anëtarët e familjeve rezidente në këtë pjesë./radiogjakova/










