Ditët e Biznesit të Vogël mbahen Gjakovë
Ditët e Biznesit të Vogël 2014 kanë mbledhur në Gjakovë përfaqësues të institucioneve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të ndërlidhura për këtë komponentë të rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.
Në tryezën e rrumbullakët është bërë fjalë për ngritjen e vetëdijesimit për rolin që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për zhvillimin e qëndrueshëm përkatësisht për nxitjen e dialogut publiko-privat në mënyrë që të hartohen politika përkatëse në dobi të bizneseve.
Me këtë rast Silvana Domi, drejtoresh e Drejtorisë komunale për Zhvillim Ekonomik në Gjakovë, ka veçuar rëndësinë e mbledhjes në një vende të gjithë faktorëve për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në Kosovë, për të debatuar për problem me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit.
Pos kësaj në këtë tryezë është bërë fjalë edhe për qasjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ne financa si dhe rëndësinë e zvogëlimit të barrierave administrative në dogana në funksion të qarkullimit më të shpejt të mallrave.
Në anën tjetër përfaqësues të bizneseve kanë prezantuar problemet me legjislacionin në fuqi, të cilat pengojnë zhvillimin e bizneseve të vogla. Ndryshe, të gjitha faktet të një ekonomie të avancuar e të orientuar në tregun e lirë, argumentojnë se forma më e mirë për të rritur zhvillimin ekonomik është angazhimi në forcimin e biznesit të vogël dhe të mesëm./radiogjakova/