DKA apel SBASHK-ut: Greva frenon vrullin e punës për PISA-n
Sa më shumë që kalojnë ditët aq më tepër Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë apelon shkollat që ta marrin seriozisht vlerësimin ndërkombëtar “PISA 2018”.
Drejtoria komunale e Arsimit në Gjakovë garanton se ashtu po veprohet, por ashtu sikurse numërimi mbrapsht ka nisur për testin PISA, njëjtë po ndodh edhe me grevën e mësimdhënësve të paralajmëruar për 13 prill.
Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj ka thënë se çdo ndërprerje e mësimit nuk i bënë nder nxënësve, ndërsa shtoi se grevat erdhën në kohë të papërshtatshme. Ai ka apeluar SBASHK-un që të shtyje veprimet e tyre deri pas mbajtjes së këtij testi.
“Unë jam një nga mësimdhënësit e viteve ’90 dhe të gjithë këta mësimdhënës e meritojnë një trajtim më të veçantë, por grevat na ndalin vrullin e punës për këtë test. Mendoj se po mbahen në kohë të papërshtatshme. Apeloj SBASHK-un dhe të gjithë mësimdhënësit që të paktën ta shtyejnë deri pas këtij testi”, u shpreh Frrokaj.
Kundër mbajtjes së grevave në këtë kohë dolën edhe disa drejtorë shkollash të cilët janë përzgjedhur për këtë test.
Pavarësisht këtyre pengesave, drejtori Bernard Frrokaj thotë se përgatitjet për këtë test po vazhdojnë. Ai përmendi trajnimin e koordinatorëve si dhe mbajtjen e dy testeve provuese.
“Përgatitjet po vijojnë, po mbahen trajnimet e koordinatorëve, takime me nxënës dhe së shpejti do të mbahen dy testime provuese që edhe nxënësit të kuptojnë se çfarë i pret”, vijoi ai.
Frrokaj beson se kësaj radhe nxënësit gjakovarë do të dalin më mirë falë kësaj përgatitje. “Ka një organizim dhe përgatitje më të mirë se para tre vitesh dhe po besoj që kësaj here rezultatet do të jenë më të mira”, tha Frrokaj.
Ndryshe, Ministria e Arsimit ka përzgjedhur 8 shkolla të Gjakovës të cilët do të përfshihen në “PISA 2018”.
Ato janë Gjimnazi “Hajdar Dushi”, Shkolla e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari”, Shkolla e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Hysni Zajmi”, si dhe shkollat e mesme të ulëta “Zekeria Rexha”, “Selman Riza”, “Haxhi Hoti” e Rogovës dhe “Dëshmorët e Hereçit” nga Hereçi.
Për çdo shkollë do të përzgjidhen më së shumti 44 nxënës të lindur nga data 1 janar deri më 31 dhjetor 2002./radiogjakova/